Plazhi

Plazhi i Divjakës

Plazhi i Divjakës është një nga bukuritë natyrore më mirë të ruajtura në Shqipëri, ku syri i vizitorëve kënaqet duke parë peisazhe të pafundme me gjelbërim, rërë, det, lagunë dhe një mori atraksionesh të tjera.

Nëse dëshironi të jeni të qetë ndërsa fëmijët tuaj shkojnë në ujë për tu larë, deti në zonën e Divjakës është i krijuar posaçërisht për të gjitha grupmoshat. Një brez i gjatë ujor  rreth 100 m, nuk e kalon nivelin e ujit 40-50 cm. Pas kësaj zone niveli i ujit fillon të rritet gradualisht dhe çdokush sipas moshës mund të zgjedhë thellësinë e dëshiruar. Uji i detit në plazhin e Divjakës është i pastër për arsye se në të nuk shkarkohet asnjë lloj mbetjesh nga hotelet dhe restorantet përreth. Probabiliteti për të marrë infeksione është zero, madje përkundrazi uji ka nivel të lartë kripe, i cili është i mirë për djegiet dhe prerjet.

Një tjetër element të cilin vetëm në plazhin e Divjakës mund ta gjeni dhe që është e njohur në të gjithë vendin për aftësitë e saj shëruese, është rëra e pasur me jod. Në këtë brez të gjerë ranor shumë qytetarë  të cilët vuajnë nga reumatizma, zgjedhin të provojnë kurën “popullore” të rërës magjike. Por nëse do të hyni më në brendësi të pyllit me pisha do të gjeni disa vende me baltë të zezë të nxehtë dhe të kripur, të cilat në pamje të parë nuk do t’jua mbushin syrin, por  shumë qytetarë thonë se kanë gjetur shërim për probleme të ndryshme.

Plazhi i  Divjakës ka një vijë bregdetare mbi 12 km në formë harku dhe është e vetmja në Shqipëri që rrethohet nga një pyll i dendur halor me pisha, e cila të lejon të zhvillosh një sërë aktivitetesh. Vija bregdetare e cila fillon nga grykëderdhja e lumit Shkumbin dhe vazhdon deri në kufi të zonave kënetore, është e gjitha e përshtatshme për plazh. Plazhi konsiderohet i veçantë  për nga karakteristikat që e rrethojnë dhe për këtë arsye mbledh në gjirin e tij me qindra e mijëra pushues e vizitorë gjatë gjithë vitit.

Brezi ranor i plazhit të Divjakës ka një gjatësi rreth 12 km dhe gjerësi 150 m. Në këtë vend vizitorët gjejnë pothuajse të gjitha shërbimet e nevojshme për qëndrimin e tyre. Në hapësirën ranore gjenden shezlonget dhe çardat për të pushuar, fast-food-e, bare, lojra sportive, parkim për makinat etj. E veçanta e kësaj zone është se nuk ka ndërtime në masë, fjala “betonizim” nuk hyn në fjalorin e pushuesve që vizitojnë këtë vend, ndryshme nga shembulli i plazhit të Durrësit, Vlorës apo Sarandës. Lartësia më e madhe e ndërtesave është 3-kate dhe këto ndodhen në pjesën midis mbarimit të pyllit dhe fillimit të rërës.

Hapësira e gjerë midis detit dhe pyllit krijon mundësi dhe lirëshmëri për zhvillimin e një sërë aktivitetesh. Të apasionuarit pas lojrave të rërës, volejbollit, tenisit, futbollit etj, mund të zbaviten pa shqetësuar të tjerët në vendet e rezervuara për këto lloj sportesh.  Gjatë vitit të kaluar Bashkia Divjakë u kujdes që të vendoseshin edhe tualetet publike në përgjatë gjithë vijës bregdetare.